
Aftësitë “soft” janë kryesoret që duhen për t’u zhvilluar e për të ndërtuar një karrierë të ndritur. Këto tipare personaliteti përcaktojnë mënyrën tuaj të punës dhe ndërveprimit me të tjerët.
Para se të diskutojmë rëndësinë e aftësive “soft” për nxënësit, le të hedhim një sy të shpejtë në disa fakte interesante:
- Sipas “Stanford Research Center”, “Harvard University” dhe “Carnegie Foundation”, 85% e suksesit në punë vjen nga aftësitë e shkëlqyera “soft” dhe ndërpersonale, ndërsa vetëm 15% vijnë nga aftësitë teknike.
- Sipas të dhënave të “Skill Survey”, 67% e menaxherëve të burimeve njerëzore do të punësonin kandidatë me aftësi të larta “soft”, edhe nëse aftësitë e tyre teknike janë të dobëta.
- Sipas “McKinsey” dhe “Microsoft”, 30-40% e punëve të së ardhmes do të varen nga aftësitë socio-emocionale.
Pikat kryesore:
Pse janë të rëndësishme aftësitë “soft” për nxënësit?
Aftësitë “soft” dhe aftësitë e zhvillimit të personalitetit për nxënësit: - Lidershipi
- Aftësitë ndërpersonale
- Përshtatshmëria
- Aftësitë e komunikimit
- Puna në ekip
- Zgjidhja e problemeve
- Menaxhimi i kohës
Ku duhet vënë theksi për aftësitë “soft”?
Pse janë të rëndësishme aftësitë “soft” për studentët?
Aftësitë luajnë një rol thelbësor në krijimin e marrëdhënieve të mira me shokët e klasës, ndërtimin e një rrjeti me studentë të viteve më të larta dhe krijimin e besimit. Aftësitë “soft” dhe ato të zhvillimit të personalitetit janë të rëndësishme për studentët për dy arsye kryesore:
- Rrisin mundësitë e punësimit.
- U mundësojnë të punojnë në harmoni në mjedise dinamike.
Aftësitë soft dhe aftësitë e zhvillimit të personalitetit për studentët:
Lidershipi
Liderët janë ata që iniciojnë veprime, ofrojnë udhëzime në momente kyçe, frymëzojnë të tjerët, koordinojnë në mënyrë të qetë dhe kanë një qasje për zgjidhjen e problemeve. Rëndësia e aftësive të lidershipit nuk kufizohet vetëm në jetën universitare; është një aftësi që formëson gjithë personalitetin tuaj.
Prandaj, duhet të bëni përpjekje të sinqerta për të mësuar të bëni liderin gjatë viteve të universitetit duke marrë pjesë në konkurse të ndryshme, duke organizuar evente ndëruniversitare e të tjera.
Aftësitë ndërpersonale
A e dini se studentët me aftësi të shkëlqyera ndërpersonale do të bëhen burime të jashtëzakonshme në botën korporative të së nesërmes?
Aftësitë ndërpersonale ju ndihmojnë të kuptoni sjelljen dhe të bashkëveproni me të tjerët. Studentët që kanë këto aftësi ndërtojnë lehtësisht marrëdhënie, komunikojnë me empati, zgjidhin konfliktet në mënyrë efektive dhe e shijojnë jetën më shumë.
Këshillë profesionale: Mbani mend se aftësia ndërpersonale është një term “ombrellë” që përfshin aftësi si empatia, dëgjimi aktiv, motivimi dhe durimi.
Përshtatshmëria
Përshtatshmëria është një aftësi esenciale që ju bën fleksibël në jetën e përditshme. Ajo tregon gatishmërinë tuaj për të pranuar gjëra të reja, qoftë një projekt, rol apo një mjedis të ri.
Nëse planifikoni të studioni jashtë vendit dhe jeni të adaptueshëm ndaj ndryshimeve, do të përshtateni lehtësisht me stile të ndryshme mësimdhënieje dhe të nxëni të përdorura në universitete të ndryshme.
Aftësitë e komunikimit
Aftësitë e forta të komunikimit mund t’ju hapin rrugën drejt suksesit në jetën akademike dhe profesionale. Aftësitë e zhvilluara verbale dhe të shkruara ju ndihmojnë të shprehni qartë mendimet ose idetë tuaja në diskutime, fjalime apo prezantime.
Aftësitë e mira të komunikimit jo vetëm që ju bëjnë më të sigurt, por gjithashtu ju lejojnë të kuptoni më mirë lëndët dhe njerëzit.
Këshillë profesionale: Aftësia e komunikimit është një nga aftësitë më të rëndësishme soft për studentët e inxhinierisë për të përballuar kërkesat e botës konkurruese të biznesit.
Puna në ekip
Puna në ekip mundëson shkëmbim informacioni dhe komunikim pa pengesa mes grupeve të ndryshme, gjë që ndihmon në arritjen e objektivave të parapërcaktuara.
Meqenëse puna në grupe është pjesë thelbësore e programeve të studimit, zhvillimi i këtij zakoni gjatë viteve akademike është një rrugë e sigurtë drejt suksesit profesional.
Zgjidhja e problemeve
Pavarësisht nga drejtimi që studioni, aftësitë e zgjidhjes së problemeve vlerësohen gjithmonë gjatë jetës studentore.
Këto aftësi përcaktojnë aftësinë tuaj për të menduar kritikisht, për të identifikuar problemet e mundshme dhe për të zhvilluar zgjidhje për t’i përballuar ato.
Të jesh zgjidhës problemesh nënkupton që je kreativ dhe i aftë të ofrosh zgjidhje jashtë kornizave tradicionale. Ky është një avantazh i madh, pasi kreativiteti është ndër aftësitë “soft” më të kërkuara, së bashku me përshtatshmërinë dhe bashkëpunimin, sipas “LinkedIn”.
Menaxhimi i kohës
Njohja më e mirë e menaxhimit të kohës i ndihmon studentët të punojnë gjatë studimeve pa u përballur me sfida. Studentët me aftësi të mira të menaxhimit të kohës mund të trajtojnë shumë detyra njëkohësisht dhe të performojnë në mënyrë të shkëlqyer në të gjitha fushat e jetës.
Si t’i theksoni aftësitë soft?
Përgatitni një listë të aftësive soft që zotëroni dhe theksojini ato në CV, letra motivimi, Deklaratën e Qëllimit (SOP) dhe gjatë intervistave. Mundohuni të mbështesni çdo pretendim me një shembull, sidomos kur shkruani një SOP.
Gjatë përgatitjes së CV-së, zgjidhni dy ose tre aftësitë më të rëndësishme që lidhen me punën për të cilën po aplikoni dhe theksojini ato.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Avanse
Përshtati për HUMAI, Xhuljana Kaloshi
