
Sot shumë punëdhënës po përpiqen të përmirësojnë aftësitë e punonjësve të tyre për t’u përshtatur me botën e automatizimit dhe inteligjencës artificiale, por studime të fundit tregojnë se përveç aftësive teknike, po rikthehet shumë fort rëndësia e aftësive bazë njerëzore, të cilat shpesh quhen “soft skills”.
Sipas “Harvard Business School”, këto aftësi si: komunikimi, bashkëpunimi dhe të menduarit kritik, janë themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha aftësitë e tjera profesionale. Në një artikull të ri, studiuesi Letian Zhang tregon se këto aftësi janë të domosdoshme për mësim afatgjatë dhe për zhvillim profesional, duke i quajtur “baza e trungut të pemës së karrierës” .
Studimi shpjegon se aftësitë njerëzore funksionojnë si një “strukturë e ngritur me fole” (nested structure), ku aftësitë e përgjithshme janë rrënjët dhe trungu, ndërsa aftësitë teknike janë degët që dalin më vonë. Njësoj si në shkollë që nuk mund ta mësosh njeë ekuacion pa mësuar më parë formulën, edhe në karrierë aftësitë e njëpasnjëshme ndërtohen mbi njëra-tjetrën. Prandaj punëdhënësit duhet të forcojnë pikërisht këto baza nëse duan të jenë konkurrues në një treg që po ndryshon me shpejtësi.
Edhe studime të tjera për tregun e punës e pohojnë këtë tendencë. “World Economic Forum” thekson se ndërsa inteligjenca artificiale po transformon industri të tëra, kompanitë nuk duhet të humbin nga sytë rëndësinë e aftësive si empatia, komunikimi, kreativiteti dhe menaxhimi i konfliktit. Sipas raportit të tyre, AI nuk i zëvendëson këto aftësi, përkundrazi i bën edhe më të vlefshme.
Edhe kërkues të tjerë vënë në dukje të njëjtën gjë. Në një studim të publikuar në “The AI Journal”, ekspertët shpjegojnë se ndërsa AI merr përsipër detyrat rutinë, roli i njeriut po zhvendoset drejt ndërveprimit njerëzor dhe kulturës së punës, duke rritur vlerën e aftësive si bashkëpunimi, ndjeshmëria profesionale dhe kreativiteti .
Një tjetër hulumtim, i cili analizoi mbi 700 drejtues biznesi nga vende të ndryshme të botës, tregon se shumica e kompanive sot presin që punonjësit të zhvillojnë më së shumti “soft skills”, sidomos ato që lidhen me etikën dhe komunikimin ndërpersonal. Shumë liderë mendojnë se inteligjenca artificiale do të funksionojë më mirë kur të plotësojë aftësitë e njerëzve dhe jo t’i zëvendësojë ato. Pra, e ardhmja e punës nuk do të jetë “robotike”, siç frikësohen disa, por akoma më njerëzore.
Edhe ekspertët e “SkillsYouNeed” theksojnë se në epokën e AI-së, aftësitë që e bëjnë një person unik, si kreativiteti, fleksibiliteti, zgjidhja e problemeve dhe komunikimi emocional, janë ato që i japin punonjësve më shumë vlerë dhe e dallojnë njeriun nga teknologjia.
Në përfundim, megjithëse inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si punojmë, ajo nuk e ul vlerën e njeriut. Përkundrazi, bën që aftësitë njerëzore të vlerësohen më shumë se kurrë. Punëdhënësit po e kuptojnë se komunikimi, empatia, mendimi kritik dhe kreativiteti janë çelësi i suksesit në një botë ku teknologjia zhvillohet çdo ditë. Aftësitë teknike mund të mësohen, por aftësitë njerëzore janë ato që të bëjnë të pazëvendësueshëm.
Përshtati për HUMAI, Elda Ndreu
