
Shfaqja e makinës llogaritëse në fillim të viteve ’70 shënoi një prej momenteve më domethënëse të ndërveprimit midis teknologjisë dhe mendjes njerëzore. Në dukje, ajo ishte një pajisje e thjeshtë që përpunonte shpejt përllogaritjet matematikore. Por prapa këtij funksioni praktik, ajo nxiti një reagim emocional të fortë: frikën kolektive se “nxënësit nuk do dinë të llogarisin më”, se “kontabilistët do mbeten pa punë”, se “matematika po zhduket”. Sot këto shqetësime duken të tepruara, komike, por atëherë ato ishin të vërteta.
Në thelb, ky reagim nuk ishte kundër pajisjes vetë, por kundër një gjendjeje të lashtë dhe universale të mendjes njerëzore: frikës nga e panjohura. Një frikë që manifestohet sa herë që njerëzimi përballet me diçka që sfidon rutinën, apo të njohurën dhe që na prezanton me mundësi që ende nuk janë të qarta. Filozofia do ta quante këtë një përplasje, apo tension midis së vjetrës dhe së resë, ndërkohë psikologjia do ta përshkruante si mekanizëm mbrojtës të mendjes.
Por historia tregoi se makina llogaritëse nuk i zhduku profesionet, as mendimin matematikor. Përkundrazi, ajo eliminoi barrën e përllogaritjeve monotone dhe i çliroi profesionistët për t’u zhvendosur më shumë te mendimi, te analiza, kreativiteti, duke lënë pas rutinën dhe përsëritjen. Detyrat e lodhshme u zhdukën, ndërsa mendja njerëzore fitoi hapësirë të re.
Sot, me inteligjencën artificiale, jemi sërish përballë të njëjtit cikël psikologjik. Dëgjojmë të njëjtat deklarata për zëvendësimet e profesioneve apo se njerëzit do të bëhen dembelë.
Këto janë variacione moderne të të njëjtave frikëra të dikurshme, të të njëjtit ankth që u shfaqën me daljen e makinës llogaritëse, vetëm se sot janë veshur me një emër të ri. Në fakt, nuk është AI që na frikëson, por reflektimi i vetes sonë në praninë e së panjohurës. Ne kërkojmë siguri, kontroll, dhe një realitet të parashikueshëm. Çdo risi teknologjike sfidon këto nevoja.
Megjithatë, ashtu si dikur, edhe sot realiteti po tregon një histori krejt tjetër. AI nuk po zëvendëson mendjen njerëzore, por po e ndihmon atë, duke marrë përsipër punët që na mbytin në rutinë, detyrat që na lodhin mendjen dhe kufizojnë kapacitetet tona krijuese. Mësuesit mund të fitojnë kohë për mendim kritik dhe ndërveprim më të thellë me nxënësit. Programuesit mund ta përdorin kohën dhe AI për të krijuar sisteme më komplekse. Në çdo fushë, AI po e zhvendos njeriun nga mekanika drejt reflektimit.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga të mirat më të mëdha të AI-t: si asistent universal.
Ashtu si makina llogaritëse që dikur na çliroi nga veprimet e pafundme aritmetike, AI sot po na çliron nga ngarkesa mendore e informacionit, nga mbledhjet e të dhënave, nga detyrat që konsumojnë orë dhe shterojnë energjinë krijuese. Po na ndihmon të mësojmë më shpejt, të kuptojmë më thellë, të planifikojmë më qartë. Për shumë prej nesh, është bërë dora e tretë, një mbështetje që e shtyn individin të zhvillohet, jo të zëvendësohet, duke na dhene mundësinë të mendojmë më lirshëm dhe rrjedhimisht të krijojmë me guximshëm.
Por AI ka edhe një rol të dytë, po aq të rëndësishëm: është një nxitës që na vë përballë frikës sonë më të vjetër.
Ashtu si makina llogaritëse që dikur u bë simbol i ankthit kolektiv se po humbnim diçka të çmuar, AI sot na rikujton se frika nga e panjohura është ende gjallë brenda nesh, se ne ende kemi prirjen të kufizohemi përpara një transformimi. Dhe pikërisht ky tension, ky shqetësim i brendshëm, është në fakt një nxitës për rritje.
AI na detyron të reflektojmë mbi vetë mënyrën se si mendojmë, si mësojmë, si punojmë. Na kujton se frika është shpesh kufiri i parë që duhet kapërcyer, jo teknologjia. Në këtë mënyrë, AI nuk është thjesht një mjet që përmirëson jetën tonë praktike, por një sfidë psikologjike që na shtyn të mos ngecim në të shkuarën, por të evoluojmë.
Pra, AI luan dy role të mëdha: rolin e asistentit dhe rolin e nxitësit të brendshëm që na kujton se ndryshimi nuk është armik, por derë drejt përparimit tonë.
Në këtë këndvështrim, AI pervec se nje krijim shkencor-teknologjik, mund ta shohim si provokim filozofik që na detyron të rishikojmë ç’do të thotë të mendosh, të punosh, të krijosh dhe si nje provokim psikologjik, që na nxit të përballemi me frikën tonë të lashtë dhe ta shërojmë atë. AI na rikujton se transformimi teknologjik nuk është vetëm proces teknik, por edhe proces psikologjik brenda nesh. Dhe shpesh, pengesa më e madhe nuk është teknologjia, por vetë mendja njerëzore përballë së panjohurës.
Frika nga e panjohura është e lindur, por progresi njerëzor ka qenë gjithmonë frut i kapërcimit të kësaj frike. Çdo hap historik përpara ka nisur me një ankth të vogël dhe ka përfunduar me rritje. Si atëherë, edhe sot, frika më shumë na tregon kufijtë tanë të brendshëm sesa kufijtë e teknologjisë.
AI është, në të vërtetë, makina llogaritëse e shekullit XXI. Jo vetëm sepse është një teknologji që ka zëvendësuar proceset monotone. por sepse ushqen të njëjtën frikë dhe sjell të njëjtin potencial çlirues, duke mos ulur vlerën tonë, por duke na çliruar nga pesha që na largon nga kreativiteti. AI po na sfidon të mendojmë më thellë, më lirshëm, më gjerë.
Në fund të fundit, ky nuk është vetëm një kapitull teknologjik. Është një kapitull psikologjik., një përballje me një nga emocionet më të lashta të njerëzimit.
Dhe si gjithmonë, kur njeriu tejkalon frikën nga e panjohura, ai rritet.
Mendja njerëzore ka ende shumë për të dhënë, mjafton të mos robërohemi nga frika, por të guxojmë të ecim përtej saj. Dhe këtë po na i rikujton mësë miri AI.
Përgatiti për HumAi, Megi Graceni
