
Në një shkrim të botuar në “BBC” kuptohet se njerëzit sot po flasin me tabletët e celularët. Të hapësh zemrën e të kërkosh një këshillë te Inteligjenca Artificiale është trend, duke iu shmangur kontaktit sy më sy. Instituti i Sigurisë së AI (AISI), ka raportuar se 1 në 25 persona në Britani flet çdo ditë me AI dhe rezultati është nxjerrë pas një studimi që ka zgjatur për të paktën 2 vite. Një sondazh i AISI me mbi 2,000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se njerëzit po përdorin kryesisht chatbot-e si ChatGPT për mbështetje emocionale ose ndërveprim social, të ndjekura nga asistentë zanorë si Alexa e Amazon-it. Lidhja me AI ka arritur deri aty sa u zbulua se, kur chatbot-ët dilnin jashtë funksionit, njerëzit raportonin “simptoma të tërheqjes”, të tilla si ndjenja ankthi ose depresioni, si edhe çrregullime të gjumit apo neglizhencë të përgjegjësive të tyre.
Konfidencialiteti me AI na vë para pyetjes se mungon raporti njerëzor apo modernizmi e ka futur botëkuptimin tonë në një formë të re konceptimi? Në një artikull të botuar në “The Guardian” shkruhet se studiuesit panë se përdoruesit që zhvillonin bisedat më emocionale dhe personale me chatbot et kishin tendencë të përjetonin një vetmi më të madhe – megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo shkaktohet nga chatbot-i apo sepse njerëzit e vetmuar kërkojnë lidhje emocionale.
Pas përdorimit të chatbot-it për katër javë, pjesëmarrëset femra në studim kishin një tendencë pak më të ulët për t’u socializuar me njerëz krahasuar me pjesëmarrësit meshkuj. Pjesëmarrësit që ndërvepronin me modalitetin zanor të ChatGPT-së në një gjini që nuk ishte e tyre për bisedat e tyre raportuan nivele dukshëm më të larta të vetmisë dhe më shumë varësi emocionale ndaj chatbot-it në fund të eksperimenti.
Në një interpretim të sajin, Dr. Doris Dippold, e cila bën kërkime mbi komunikimin ndërkulturor në Universitetin e Surrey, tha se do të ishte e rëndësishme të kuptohej se çfarë shkakton varësinë emocionale ndaj chatbot eve. “A shkaktohet kjo nga fakti që bisedimi me një bot i lidh përdoruesit me një laptop ose telefon dhe, për këtë arsye, i largon ata nga ndërveprimet autentike shoqërore? Apo është vetë ndërveprimi shoqëror, falë ChatGPT-së ose një shoqëri tjetër digjitale, që i bën njerëzit të dëshirojnë më shumë?”
Për të mos i ikur vetes dhe përballjes me format e reja të “zgjatimeve” komunikative, sensi i masës është kufiri mes realitetit të individit dhe kapërcimit të limiteve, duke mos rënë pre e tyre.
