
Nga George Sandeman
Cila ishte gjëja e fundit që i kërkove një chatbot-i me Inteligjencë Artificiale të bënte për ty?
Ndoshta i kërkove të të ndihmonte me strukturën e një eseje për t’iu përgjigjur një pyetjeje të vështirë, të ofronte një analizë të thelluar të një grupi të madh të dhënash, ose të kontrollonte nëse letra jote e motivimit përputhej me përshkrimin e vendit të punës.
Disa ekspertë shqetësohen se delegimi i këtyre lloj detyrave mund të nënkuptojë se truri yt po punon më pak dhe madje mund të dëmtojë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve.
Më herët këtë vit, Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit (MIT) publikoi një studim që tregonte se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese shfaqën më pak aktivitet në rrjetet e trurit që lidhen me përpunimin njohës, gjatë kryerjes së kësaj detyre.
“AI e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve”
Ndërkohë, Carnegie Mellon University dhe Microsoft, në operim më “Copilot”, zbuluan se aftësitë e zgjidhjes së problemeve te njerëzit mund të zvogëloheshin nëse ata bëheshin tepër të varur nga AI.
Ata intervistuan 319 punonjës zyre që përdornin mjetet AI për punën e tyre të paktën një herë në javë, për të kuptuar se si aplikojnë të menduarit kritik kur i përdorin këto mjete.
U shqyrtuan 900 shembuj detyrash të dhëna tek AI, duke përfshirë analizimin e të dhënave për të nxjerrë njohuri të reja dhe kontrollin nëse një punë i përmbahet rregullave të caktuara.
Studimi gjeti se besimi më i lartë në aftësinë e mjetit për të kryer një detyrë lidhej me “më pak përpjekje për të menduar kritikisht”.
“Ndërsa GenAI mund të përmirësojë efikasitetin e punonjësit, ai mund të pengojë angazhimin kritik me punën dhe potencialisht të çojë në varësi afatgjatë nga mjeti dhe zvogëlim të aftësisë për zgjidhje të pavarur të problemeve.”
Nxënësit në Mbretërinë e Bashkuar u pyetën në mënyrë të ngjashme për një studim të publikuar në tetor nga Oxford University Press (OUP).
U gjet se gjashtë nga dhjetë nxënës ndjejnë se AI ka ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me punët shkollore.
Pra, me përhapjen e madhe të përdorimit të AI-së, a janë aftësitë tona njohëse në rrezik të dobësimit?
“Jo domosdoshmërisht”,- thotë Dr. Alexandra Tomescu, një specialiste e AI së gjenerative në Oxford University Press (OUP) që punoi në sondazhin shkollor.
“Kërkimi ynë tregon se nëntë nga dhjetë nxënës thonë se AI i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi lidhur me punët shkollore, qoftë zgjidhje problemi, kreativitet apo përmbledhjeje.
“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta e tyre thonë se përdorimi i AI-t e bëri punën tepër të lehtë për ta… Pra, është një tablo mjaft e larmishme.”
Ajo shton se shumë nxënës dëshirojnë udhëzime më të qarta për mënyrën e përdorimit të AI-së.
ChatGPT, i cili ka më shumë se 800 milion përdorues aktivë në javë sipas drejtuesit Sam Altman, ka publikuar një set prej 100 promptesh për nxënës që synojnë t’i ndihmojnë ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.
Por Prof. Wayne Holmes, i cili studion përdorimin kritik të inteligjencës artificiale dhe arsimit në University College London (UCL), thotë se kjo nuk është e mjaftueshme.
Ai kërkon që të bëhet më shumë hulumtim akademik mbi efektet e mjeteve AI në mësim para se nxënësit dhe studentët të inkurajohen t’i përdorin ato.
Ai thotë: “Sot nuk ka asnjë dëshmi të pavarur në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsimin, për sigurinë e tyre, apo edhe për idenë se ato kanë një ndikim pozitiv.”
Prof. Holmes i referohet kërkimeve mbi atrofinë njohëse, ku aftësitë dhe shkathtësitë e dikujt dobësohen pas përdorimit të AI-së.
Ai thotë se ky ka qenë një problem për radiologët, të cilët përdorin mjetet AI për t’i ndihmuar të interpretojnë rëntgenët para se të diagnostikojnë pacientët.
Një studim i Harvard Medical School i publikuar vitin e kaluar gjeti se asistenca e AI-së përmirësoi performancën e disa klinicistëve, por e dëmtoi të tjerët për arsye që studiuesit nuk i kuptuan plotësisht.
Autorët kërkuan që të bëhet më shumë punë mbi mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me AI, në mënyrë që të gjenden mënyra përdorimi të mjeteve AI që “forcojnë performancën njerëzore, jo ta dëmtojnë atë”.
Prof. Holmes shqetësohet se nxënësit, qoftë në shkollë apo universitet, mund të bëhen tepër të varur nga AI për të kryer punën e tyre dhe të mos zhvillojnë aftësitë themelore që ofron arsimi.
Një ese e një studenti mund të marrë nota më të mira falë ndihmës së AI-së, por çështja është nëse ata në të vërtetë kuptojnë më pak. Siç thotë Prof. Holmes: “Rezultatet e tyre janë më të mira, por në fakt mësimi i tyre është më i dobët.” Jayna Devani, e cila drejton arsimin ndërkombëtar në OpenAI kompania që zotëron ChatGPT dhe ndihmoi në sigurimin e një marrëveshjeje me University of Oxford, thotë se kompania është “shumë e vetëdijshme për këtë debat aktualisht”./BBC
