
“Njerëzit me nivele të larta empatie janë më të ndjeshëm ndaj tonit të zërit në bisedat e përditshme”,- kjo është vërejtur gjatë një studimi të fundit. Hulumtimi i Universitetit të Essex-it tregoi se pothuajse të gjithë njerëzit përjetojnë parehati kur ekspozohen ndaj një zëri të zemëruar, edhe kur fjalët e thëna nuk mbartin kuptim emocional.
Megjithatë, personat më empatikë përjetuan nivele edhe më të larta parehatie dhe kishin më pak gjasa të ndanin informacion me folësin, një gjetje kjo veçanërisht e rëndësishme për fushën e kujdesit shëndetësor.
Studimi i Departamentit të Psikologjisë, i botuar në revistën “Emotion”, nënvizon nevojën për trajnim në profesione kyçe si arsimi, shëndetësia dhe shërbimi ndaj klientit, ku mënyra e të folurit mund të minojë besimin dhe të shkaktojë shqetësim.
Ndikimi në klasë
Profesorja Silke Paulmann thekson ndikimin që kjo mund të ndodhë në një klasë, pasi toni i zërit mund të formësojë ndjenjën e sigurisë së nxënësve dhe gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë.
Profesorja Paulmann, bashkautore e studimit dhe drejtuese e departamentit, tha:
“Ne priremi të fokusohemi te ajo që njerëzit thonë, por mënyra se si e thonë shpesh mbart më shumë peshë emocionale. Veçanërisht për dëgjuesit empatikë, një ton negativ mund të ketë ndikim disproporcional.”
Studimi, i bashkëdrejtuar nga Dr. Paul Hanel, shqyrtoi se si pjesëmarrësit reagonin ndaj bisedave me tone të përshtatshme ose të papërshtatshme të zërit.
Më shumë se 800 persona morën pjesë në një seri eksperimentesh që matën reagimet e tyre ndaj një folësi që përdorte ose një ton të gëzuar, ose një ton të zemëruar.
Shkelja e normave shoqërore
Rezultatet vërejnë se individët empatikë nuk janë vetëm më të ndjeshëm ndaj përmbajtjes emocionale, por edhe më reaktivë ndaj shkeljeve të normave shoqërore.
“Empatia nuk i ndihmon vetëm njerëzit të kuptojnë të tjerët, ajo i bën gjithashtu më të ndjeshëm ndaj mjedisit emocional,” tha Dr. Hanel. “Kjo përfshin edhe ndjeshmërinë më të madhe kur diçka duket ‘jo në rregull’, si për shembull kur dikush flet me një ton jomiqësor, pavarësisht se përdor fjalë neutrale.”
Dr. Hanel dhe profesorja Paulmann sfidojnë supozimin se empatia është gjithmonë një avantazh, pasi ajo i bën individët edhe më të cenueshëm ndaj parehatisë emocionale. “Duhet të pranojmë se empatia është njëkohësisht forcë dhe ndjeshmëri,” shtoi Dr. Hanel. “Duke kuptuar se si njerëzit empatikë e përjetojnë botën, mund të krijojmë strategji komunikimi më inteligjente emocionalisht dhe mjedise më mbështetëse për të gjithë./Essex
