
Empatia trashëgohet pjesërisht, sipas kërkimeve më të fundit. Shkencëtarët morën mostra ADN-je nga 46,000 pjesëmarrës dhe analizuan ndryshimet në gjenet e tyre që mund të shpjegonin pse disa njerëz tregojnë më shumë dhembshuri se të tjerët. Ata gjetën se 10% e ndryshimeve individuale në empati lidhen me gjenet, megjithëse gjenet specifike të përfshira nuk u identifikuan. Gjithashtu, studimi tregoi se gratë janë zakonisht më empatike se burrat.
Megjithatë, ekipi thekson se faktorët shoqërorë, si rritja dhe mjedisi, luajnë një rol më të madh në aftësinë e një personi për të treguar empati. “Vetëm një e dhjeta e ndryshimeve individuale në empati në popullatë lidhet me gjenet. Do të jetë po aq e rëndësishme të kuptojmë faktorët jo-gjenetikë që shpjegojnë 90% e tjerave.” Kërkuesit punuan me kompaninë gjenetike “23andMe”. Ata kërkuan nga pjesëmarrësit të plotësonin një pyetësor që mat kuofiçientin e empatisë, i njohur si EQ. Më pas ata krahasuan të dhënat gjenetike me rezultatet e EQ-së për të përcaktuar sa empatia lidhej me gjenet.
Profesori Thomas Bourgeron, nga Universiteti “Paris Diderot”, tha: “Hapi ynë tjetër është të mbledhim mostra më të mëdha për të ripërsëritur këto gjetje dhe për të identifikuar rrugët biologjike të sakta që lidhen me ndryshimet individuale në empati.” Profesori Simon Baron-Cohen, nga Universiteti i Cambridgeshirit, tha: “Të kuptuarit se edhe një pjesë e vogël e ndryshimeve tona në empati lidhet me faktorë gjenetikë, na ndihmon të kuptojmë njerëz të tillë si ata me autizëm, të cilët hasin vështirësi në imagjinimin e mendimeve dhe ndjenjave të një personi tjetër.
“Kjo mund të krijojë një pengesë që nuk është më pak sfiduese se lloje të tjera të aftësive të kufizuara, si disleksia apo problemet me shikimin. “Ne si shoqëri duhet të mbështesim ata me aftësi të kufizuara, duke përdorur metoda të reja mësimi, zgjidhje alternative apo rregullime të arsyeshme, për të promovuar përfshirjen.”
Kërkimi është botuar në revistën “Translational Psychiatry”.
