
Vështrimi sy më sy është transformuar duke humbur pas ekranit të celularit apo kompjuterave, emocionet tona kanë mbetur pezull. Nga nevoja për të komunikuar e për të marrë mbrapsht një ndjesi ndryshe kërkoj argumentin për të shpejguar veten si mund ta mbaj të gjallë aftësinë njerëzore për të qenë apo për të patur krah dikë. Për ta kultivuar e për ta zhvilluar empatinë të dyja këto aspekte janë të lindura e intuitivisht ndërtojnë qënësinë tonë. “eNotAlone” shkruan se simpatia nuk është thjesht ndjesi simpatie, por është aftësia për të kuptuar dhe ndjerë emocionet e të tjerëve nga perspektiva e tyre, jo vetëm nga reagimi ynë. Forcimi i saj forcon marrëdhëniet dhe bën që ne njerëzit të ndihemi të kuptuar dhe të vlerësuar.
Ruajtja e empatisë është kthyer në sfidën e kësaj kohe ku refleksi i parë është marrja e telefonit, dhe ndikimi i fuqishmëm nga Inteligjenca Artificiale si boshti nga ku gjenerohen konceptet dhe drejtohet gjithë energjia dhe lëvizja e potencialit njerëzor. Një nga nevojat emergjente është “edukimi” i vetes me dëgjimi aktiv të tjetrit, të ndjekim me vëmendje atë që kemi përballë pa e ndërprerë, duke e respektuar, duke bërë pyeje për detaje që na japin kënaqësinë e marrjes së një informacioni, emocioni apo edhe të ndërtimit të një interaktiviteti dhe të një mendimi që kalon në një stad tjetër.
Ta vendosim veten në vendin e tjetrit, ta ndejmë gjithë larminë e emocioneve që janë përjetuar nga tjetri, gëzimi, vuajtja, mungesa, zhgënjimi, suksesi; si përvoja që në mënyrë ciklike mund të na ndodhin të gjithëve në jetë.
Rrit mirëkuptimin duke “rregulluar” emocionet. Vetëkontrolli bëhet më elastik duke qenë në kontakt me persona që kanë intensitet e temperament të ndryshëm nga ne, për të caktuar limitet tona.
Praktimi i empatisë; kjo fushë këmbimi ndjesish krijohet nëse gjen personin e duhur me të cilin ndihesh i sigurtë dhe mund të komunikosh ato dilema që janë të përhirta e që nuk dalin gjithmonë në sipërfaqe në çdo situatë. Lirshmëria për të folur me dikë që ka ritmin tënd të krijon qetësinë për ta përcjellë në mënyrë të vetëdijshme atë që krijohet vetëm brenda teje.
A mund ta bëjmë këtë duke kërkuar shpjegim te Inteligjenca Artificiale? Sigursht që po, por pa ndierë gëzim, zemërim, trishtim a ndjenjë në sytë e tjetrit për të cilat jemi krijuar të japim e marrim, e kjo na i dikton limitet mes njeriut e teknologjisë.
Përgatiti për HumAI, Anilda Kaçaçi
